Profesori universitar Bashkim Selmani tha se provimi i jurisprudencës mund të jepet në gjuhën shqipe dhe maqedonase si në pjesën teorike ashtu edhe në atë praktike, praktikë që sipas tij tashmë zbatohet në Universitetin e Tetovës.

Ai theksoi se për realizimin e kësaj të drejte mjafton formimi i një komisioni prej pesë anëtarësh shqiptarë, pa pengesa procedurale. Selmani i bëri thirrje institucioneve që i njëjti parim të aplikohet edhe në provimet shtetërore në vend.

“Për ta ilustruar këtë, po sjell një shembull të thjeshtë nga praktika universitare. Kur zhvillohet provimi me studentët nga bashkësitë e ndryshme, fillimisht pjesa e parë e studentëve e ndjek procesin në gjuhën maqedonase dhe disa në gjuhën shqipe. Studentët përgjigjen në gjuhën e tyre, ndërsa administrimi dhe procedurat e provimit organizohen pa asnjë problem. Kjo dëshmon se bashkëjetesa e gjuhëve në procesin akademik është jo vetëm e mundur, por praktike dhe shumë e zakonshme.

Prandaj, i bëjmë thirrje kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë që i njëjti parim, të cilin e dëshmon praktika jonë në provimin e jurisprudencës, të zbatohet edhe në të gjitha provimet shtetërore brenda shtetit.

Në këtë rast, ministri, si dhe ekspertët e tjerë, janë të detyruar ta emërojnë komisionin plotësues, i cili do të përbëhet nga pesë anëtarë apo pesë profesorë në gjuhën shqipe, ku do të parashtrohen pyetje-përgjigje, ndërsa procedura zhvillohet në gjuhën zyrtare dhe në gjuhën maqedonase”, tha Bashkim Selmani.

Share.
Exit mobile version