Pa një nivel të lartë të hapjes institucionale, opinioni nuk ka mundësi të kuptojë dhe vlerësojë në mënyrë adekuate vendimet tona, theksoi Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut Nenad Saveski në fjalimin e tij në konferencën “Transparenca si faktor kyç në punën e Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, të organizuar nga Projekti “Mbështetja e BE-së për Sundimin e Ligjit”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.

“Është fakt që raportet e deritanishme, si ato vendase ashtu edhe ato ndërkombëtare, mbi punën e Këshillit të Prokurorëve Publikë nuk kanë dhënë vlerësime shumë pozitive për transparencën institucionale. Nevojitet një shpjegim më i mirë i vendimeve dhe procedurave që do të krijojë një ndjenjë tek prokurorët publikë dhe opinioni i gjerë se vendimet merren bazuar në kritere të qarta dhe të matshme dhe parime të padiskutueshme.

Por është gjithashtu fakt që në periudhën e fundit, Këshilli i Prokurorëve Publikë ka bërë hapa të mëdhenj për të forcuar transparencën dhe për t’u transformuar në një institucion të hapur dhe të përgjegjshëm”, tha Saveski.

Ai theksoi rëndësinë e Strategjisë së sapomiratuar për Transparencë të Këshillit të Prokurorëve Publikë si një hap i rëndësishëm në atë drejtim.

“Nëse ka një fushë që duhet të veçoj, në të cilën besoj se mbështetja evropiane mund të ketë efektet më të mëdha, për shërbimin e prokurorisë publike dhe për Këshillin e Prokurorëve Publikë, atëherë ajo është transparenca. Çdo mbështetje këtu për ne do të thotë forcim i besimit publik si një segment kyç për matjen e suksesit të punës sonë”, tha Saveski, duke shtuar se për të kaluar nga transparenca deklarative në atë substanciale, nevojiten kushte, fonde, personel i përshtatshëm me shërbime ekspertësh, si dhe angazhim personal ndaj parimeve të transparencës.

Diskutimi në konferencë u përqendrua në misionin e Këshillit në mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve publikë dhe transparencën si një faktor kyç në funksionimin e përditshëm të Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version