Së voni për dy vjet, e ndoshta edhe më herët, qytetarët e Shkupit do ta kenë Sallën Universale të rikonstruktuar. Do të ruhet forma ekzistuese për shkak të respektimit të kujtesës kolektive dhe dhuratës që e mori kryeqyteti ynë pas tërmetit të vitit 1963. Me rikonstruksionin, objekti do të pësojë ndryshime, por nuk do të ndryshohet pamja.

Ndryshimet më të mëdha janë bërë te materiali që do të përdoret për rikonstruksionin, riorganizimi i brendshëm i hapësirës, por edhe përmirësimi i akustikës dhe ndriçimit. Do të rregullohet edhe hapësira përreth objektit.

Kapaciteti, për shkak të standardeve të reja, do të ulet nga 1500 në 1200 vende, ndërsa podiumi do të jetë multifunksional, pra do të mund të përdoret për shfaqje të karaktereve të ndryshme. Do të mund të zhvillohen edhe premierat e filmave të rinj.

Deri në fund të vitit 2027 duhet të pritet shiriti i kuq dhe qytetarët e Shkupit të bëhen me Sallë Universale të modernizuar. Prokurimi publik është tashmë në zhvillim, pritet që së shpejti të hapen ofertat dhe rikonstruksioni të fillojë në muajin tetor të këtij viti. Projekti do të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe rikonstruksioni do të jetë sipas parimit “çelës në dorë”. Mbajtësi i projektit dhe financuesi është Ministria e Kulturës, ndërsa pas vënies në përdorim Salla Universale sërish do t’i jepet në administrim Qytetit të Shkupit.

Share.
Exit mobile version