Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në një diskutim të dedikuar për transformimin digjital dhe mbështetjen e komunave në procesin e integrimit evropian.

Në fjalimin e tij, ministri Sali theksoi se integrimi evropian duhet të bëhet i dukshëm për qytetarët përmes shërbimeve konkrete, funksionale dhe të qasshme në nivel lokal.

“Prioriteti ynë është të përkthejmë politikat evropiane – nga acquis, Agjenda e Reformave dhe programet IPA – në zgjidhje praktike digjitale për komunat, si lejet elektronike, planifikimi urban digjital, sistemet tatimore lokale dhe shërbimet për mjedisin”, deklaroi Sali.

Ai shtoi se Ministria po punon drejt krijimit të një arkitekture të standardizuar digjitale, që do të sigurojë sisteme ndërvepruese, platforma të përbashkëta dhe përputhje me standardet evropiane, duke shmangur fragmentimin dhe duke ulur kostot.

Sa i përket mbështetjes për komunat, ministri theksoi mekanizma konkretë si asistenca teknike përmes IPA, thjeshtimi i procedurave dhe zhvillimi i platformave këshilluese dhe koordinuese.

“Qëllimi është i qartë – të mbyllim hendekun ndërmjet ideve dhe zbatimit dhe të sigurojmë që projektet të shndërrohen në shërbime reale për qytetarët dhe bizneset,” theksoi Sali.

Share.
Exit mobile version