Zv. kryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali sot mbajti fjalim në ngjarjen me rastin e 30 viteve marrëdhënie mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, në prani të Ambasadorit të BE-së Michalis Rokas.
Sali theksoi se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik, duke nënvizuar se pas përfundimit të screening-ut, fokusi është vendosur tek përshpejtimi i reformave.
“Tridhjetë vite partneritet dhe 25 vite nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dëshmojnë se rruga jonë evropiane është e qartë dhe e pakthyeshme. Sot, integrimi nuk është vetëm një qëllim – është proces i dorëzimit të rezultateve konkrete,” u shpreh Sali.
Ai shtoi se përmes Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, vendi tashmë po jep rezultate të matshme në fusha kyçe si sundimi i ligjit, administrata publike dhe qeverisja ekonomike.
Ministri theksoi se një proces i besueshëm zgjerimi kërkon përkushtim të dyanshëm – reforma reale nga vendet kandidate dhe parashikueshmëri nga Bashkimi Evropian.
“Ambicia jonë është e qartë – anëtarësim i plotë në Bashkimin Evropian”, theksoi Sali./Telegrafi/

