Kompania që është përzgjedhur nga tenderi për të kryer punimet është vendore dhe sipas projektit të miratuar, edhe segmenti i dytë i rrugës Shkup-Bllacë do të jetë me statusin e autostradës dhe jo të magjistrales, siç kanë qarkulluar zëra në opinion se mund të ketë ndryshim që projekti të kushtoj më lirë, thonë udhëheqësit e Ministrisë së transportit dhe lidhjeve.
Sikurse Ministri Aleksandër Nikollovski ashtu edhe Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli patën thanë për TV21 që më së voni në janar 2026 do të fillojnë punimet për segmentin e dytë në terren. Edhe ky afat i caktuar u shkel dhe nuk dihet afati tjetër.
“U munduam që ti eliminojmë këto ngatërresa të projektimit dhe duke arritur në fazën e përmbylljes së tenderimit. Pjesa e tenderimit është përmbyllur, fatmirësisht është brenda buxhetit të paraparë sepse ishte shqetësuese kjo pjesë se mos e tejkalon dhe është një projekt realisht më i kushtueshmi në Evropë, por u përmbyll. Evaluimi është përfunduar! Ju e dini që e kemi një grand dhe një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe fjala e fundit ju takon atyre. Ne si Ministri e kemi përfunduar punën tonë së bashku me N.P ‘Rrugët Shtetërore’, dokumentacioni gjendet në zyrat e kësaj banke dhe presim prej tyre sinjal pozitiv që të fillohet shumë shpejtë me punimet”, tha Kaltrina Zekolli.
Opozitarja shqiptare me akuza se po lihen anash projektet që ndërlidhen me infrastrukturën e vendbanimeve shqiptare. Nga BDI akuzojnë VLEN se nuk po ndërmerr masa.
“Sot jemi në një situatë ku një projekt po anulohet, ndërsa një projekt tjetër, ai BLLACË- SHKUP po ulet nga autostradë në rrugë ekspres, ndërsa VLEN hesht dhe sillet sikur asgjë s’po ndodh me këto vendime. Ata ose heshtin, ose arsyetojnë vendime të dëmshme, ose sillen si spektatorë në qeverinë ku vetë janë pjesë. Kjo nuk është politikë. Ky është nënshtrim politik. Kjo heshtje nuk është neutrale. Kjo heshtje është miratim dhe pajtimi me vendime që dëmtojnë interesat strategjike të qytetarëve është tradhti politike ndaj votuesve të tyre”, deklaroi Faton Pollozhani
Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë me gjatësi prej 12,5 kilometrash është premtuar gjatë 15 viteve të fundit si nga OBRM-PDUKM, ashtu edhe nga LSDM dhe BDI, ndërsa vetë ideja është mbi dy dekada. Ajo nuk arriti të ndërtohet plotësisht nga asnjë qeveri. Segmenti i parë prej dy kilometrash është përfunduar, por nuk të qon askund, ndonëse ka kushtuar hiç më pak se 57 milion euro. Ndërkaq, nga ana e Kosovës, autostrada “Arbën Xhaferi” është ndërtuar që para shtatë vitesh, me gjatësi prej 65 kilometrash – nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Prishtinë. Ndërtimi i kësaj autostrade fqinjit tanë i mori vetëm pesë vite. /tv21

