Kanë shënuar rritje rastet spitalore për sëmundjet e syve dhe ato të sistemit muskulor-skeletor gjatë vitit të kaluar. Sipas raportit më të ri analitik për vitin 2025, në 62 institucione shëndetësore janë realizuar rreth 194 mijë trajtime spitalore, me një mesatare qëndrimi nën pesë ditë, ndërsa kostoja e tyre për sistemin shëndetësor arrin në 32 miliardë denarë.

“Më së shumti rritje të rasteve spitalore ka tek sëmundjet e syve dhe sistemit muskulor-skeletor, me mbi 20 për qind. Kjo vjen si rezultat i përpjekjeve për të ulur listat e pritjes për operacionet e kataraktës dhe ndërhyrjeve të ngjashme. Në vitin 2025 është shënuar rënie prej 3 për qind e hospitalizimeve për sëmundjet kardiovaskulare…Po ashtu, kemi rënie prej 7.5 për qind të hospitalizimeve të lidhura me shtatzëninë dhe lindjen, çka është pasqyrim i ndryshimeve demografike që po ndodhin”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor

Klekovski theksoi se sistemi shëndetësor ka probleme organizative, pasi nuk po bëhet gjithmonë shpërndarja e duhur e mjekëve dhe resurseve për rastet spitalore. Sipas tij, nevojitet optimizim i sistemit, ku spitalet e përgjithshme duhet të kryejnë më shumë ndërhyrje komplekse.

Ai shtoi se infrastrukturë ka mjaftueshëm, por duhet përmirësuar shpërndarja e stafit mjekësor.

‘Në disa vende ka mjek, por mungojnë mjetet, diku ka mjete por mungojnë mjekët. Diku ka gjithçka, por nuk ka lista pritjeje, diku ka mungesa dhe ka lista pritjeje. Së shpejti do të publikojmë një analizë për dy fusha ku ka mjaftueshëm ankesa”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor

Është shënuar progres në 9 nga 12 spitalet e përgjithshme, gjë që vlerësohet pozitivisht. Nga spitalet klinike, kompleksitetin më të madh e tregon Spitali Klinik i Shtipit, ndërsa progresin më të madh e ka Spitali Klinik i Manastirit. Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori”, megjithëse formalisht është spital i përgjithshëm, funksionon në nivel të qendrës klinike dhe kryen ndërhyrje të ndërlikuara. /Alsat.mk

Share.
Exit mobile version