
Kryetari i Konfederatës së Organizatave Sindikale të Maqedonisë (KOSM) Marjan Risteski pret që së shpejti të miratohen ndryshimet ligjore për përfaqësimin e sindikatave dhe të mbajë mbledhje Këshilli Ekonomik – Social.
Siç deklaroi sot, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, ngërçi është i madh dhe do të ishte mirë që sindikatat vetë të merren vesh lidhur me pagën minimale, e jo si në Serbi, për të të vendosë Qeveria.
Sipas Risteskit, nëse ka më shumë sindikata, më i mirë do të jetë dialogu social dhe në interes të punëtorëve.
“Me sugjerimin tonë dhe disa nga deputetët propozuan ligj me procedurë të shkurtuar që do ta ulte përfaqësimin e sindikatave nga 10 në 5 për qind. Në këtë mënyrë, do të përfshihen më shumë sindikata. Ky veprim i bërë nga Qeveria është i mirë dhe ne po presim që këto ndryshime të kalojnë në Kuvend. Shpresoj që kjo të ndodhë këtë javë dhe pastaj do të shohim se cilat sindikata janë ende përfaqësuese. Kemi ngërç të madh. Të mos lejojmë që të ndodhë ajo që thotë kolegu im nga Serbia, përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur për Zejtari, Shërbime dhe Sipërmarrje nga Republika e Serbisë, Sinisha Kostiq, nëse ne si sindikata dhe punëdhënës nuk arrijmë një marrëveshje, Qeveria me shumë mundësi do ta zbatojë atë metodë siç e bënë te ata, për të përcaktuar pagën minimale”, tha Risteski pas nënshkrimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Bashkëpunim Afarist me Sindikatën e Pavarur për Zejtari, Shërbime dhe Sipërmarrje nga Republika e Serbisë.
Ligjërisht, përkujtoi, të dyja palët duhet të merren vesh mes vete.
“Shpresoj se tani kur do të ketë më shumë sindikata, atmosfera do të jetë ndryshe dhe se përfundimisht do të miratojmë pagë minimale e cila do t’i përmbush nevojat”, theksoi Risteski, duke shtuar se duhet të prezantohen argumente dhe fakte për pagën minimale.
Ai paralajmëroi se KOSM do të kërkojë që sa më shpejtë të miratohet edhe Ligji për Marrëdhënie Pune që të rregullohet veçanërisht pjesa e punësimeve të përkohshme prej pesë vjet.
“I bëjmë thirrje edhe Qeverisë që tu bëjë presion më të madh punëdhënësve që sa më shpejtë ta miratojmë Ligjin për Marrëdhënie Pune, punëtori të marrë marrëdhënie të përhershme pune dhe këtu ta sheh të ardhmen e tij”, theksoi Risteski.
I pyetur si e sheh debatin në Kuvend për Këshillin Ekonomik-Social, Risteski porositi që së pari të formohet ai këshill dhe në të të hyjnë më shumë sindikata.
“Kur të vijë pika e rritjes së pagës minimale, kur të vijnë ligje që janë në interes të punëtorëve, ja ku është publiku, mediat, atëherë do të shohim se si do të reagojmë. Të mos paragjykojmë paraprakisht. Nëse ka më shumë sindikata, dialogu social do të jetë më i mirë dhe në favor të punëtorëve. E patë se deri në çfarë mase na ka sjellë praktika e një sindikate, 30 vjet. Një sindikatë është gjithashtu subjekt i presionit politik, dhe përfiton edhe udhëheqja e ngushtë”, theksoi Risteski.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur për Zejtari, Shërbime dhe Sipërmarrje të Republikës së Serbisë, Sinisha Kostiq, tha se paga minimale në Serbi aktualisht është 55.500 dinarë, ose rreth 480 euro. Ai shpjegoi se kjo duhet të negociohet nga Qeveria e Serbisë, Sindikata e Punëdhënësve dhe sindikatat, por kohët e fundit, siç tha ai, është bërë praktikë që Qeveria e Serbisë të caktojë pagën minimale thjesht kur Sindikata e Punëdhënësve dhe sindikatat nuk mund të bien dakord. Ai shtoi se paga minimale është rritur ndjeshëm në 15 vitet e fundit. Shporta e konsumatorit në Serbi është rreth 65 mijë dinarë.
Risteski: Më shumë sindikata, dialog më i mirë social dhe në interes të punëtorëve appeared first on Telegrafi.