Reagimi i Grupacionit për prodhimin e cigareve dhe Shoqatës së prodhuesve të duhanit dhe produkteve të duhanit pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë ndaj draft-ligjit për mbrojtje nga duhani
Me rastin e deklaratës së sotme të Ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, lidhur me Draft-ligjin për mbrojtje nga duhani, Grupacioni për prodhimin e cigareve dhe Shoqata e prodhuesve të duhanit pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, në përbërje të së cilës janë Philip Morris International, Imperial Brands, British American Tobacco dhe Japan Tobacco International, shprehin shqetësim të thellë dhe zhgënjim për tekstin e plotësuar dhe të ndryshuar të zgjidhjes ligjore të propozuar, i cili na është dorëzuar më 17 mars nga Ministria e Shëndetësisë.
Pavarësisht faktit se qëllimi ynë gjatë gjithë kësaj periudhe të përgatitjes së ligjit ka qenë të jemi konstruktivë dhe bashkëpunues dhe kemi dorëzuar në kohë analiza, propozime dhe komente të detajuara, si si grupacion ashtu edhe individualisht si kompani, asnjë nga vërejtjet tona të argumentuara nuk është përfshirë në versionin e ri.
Gjatë periudhës së kaluar, me vetëdije jemi përmbajtur nga paraqitjet në media, duke konsideruar se duhet të investojmë energjinë në një proces profesional dhe konstruktiv me institucionet – takime pune, takime teknike dhe ndarje të praktikave më të mira ndërkombëtare, veçanërisht në fushat që edhe vetë Ministria e Shëndetësisë i thekson si prioritet: kornizë e rreptë për ndalimin e duhanpirjes në hapësira të mbyllura dhe mbrojtje efektive e të miturve nga qasja në produkte të duhanit.
Fatkeqësisht, si industri e prekur drejtpërdrejt, qëndrimet dhe mendimet tona nuk janë marrë fare parasysh. Teksti i propozuar, edhe pse formalisht thekson qëllime të shëndetit publik, në realitet vendos kufizime joproporcionale që cenojnë funksionimin ligjor të industrisë dhe krijojnë pasoja serioze që do të ndihen shumë shpejt. Ky tekst është i pa harmonizuar me rregullativën përkatëse, në disa pjesë i pazbatueshëm dhe në mënyrë joproporcionale restriktiv, me ndikim të drejtpërdrejtë negativ mbi aktivitetet legale komerciale. Edhe pse e mbështesim qëllimin për një kornizë të rreptë për ndalimin e duhanpirjes në hapësira të mbyllura dhe mbrojtjen e të rinjve, zgjidhjet e propozuara nuk do të arrijnë rezultatet e dëshiruara në shëndetin publik.
Edhe më e rëndësishme, masat e propozuara nuk çojnë në uljen e përdorimit të produkteve të duhanit, por nxisin zhvendosjen drejt ekonomisë gri, e cila tashmë arrin në 13–14% të tregut, me shitje të pakontrolluar, produkte të pasigurta, furnizim ndërkufitar dhe humbje serioze për buxhetin.
Analizat tona tregojnë se kufizimet e tepruara, krahasuar me shembuj të tjerë, nuk e ulin prevalencën e duhanpirjes, por çojnë në:
- rritje të tregtisë ilegale me produkte të duhanit dhe nikotinës,
- furnizim me produkte nga vendet fqinje me cilësi të pakontrolluar dhe vënie në rrezik të shëndetit të qytetarëve nga produkte që nuk kalojnë kontrollet e nevojshme të sigurisë dhe cilësisë,
- rënie serioze të të ardhurave buxhetore, në llogari të rritjes së tregtisë ilegale dhe prishjes së të gjithë zinxhirit të vlerës
Sektori i duhanit përfaqëson një degë të rëndësishme ekonomike: bujqësi, blerje, përpunim, prodhim industrial, eksport, HoReCa, logjistikë dhe mbi 5.000 objekte të shitjes me pakicë. Në pesë vitet e fundit, shteti ka inkasuar më shumë se 1,125 miliardë euro të ardhura nga akcizat, ndërsa vetëm vitin e kaluar janë realizuar rreth 350 milionë euro nga akcizat, doganat dhe taksat, si dhe mbi 200 milionë euro nga blerja e duhanit.
Prandaj, që nga fillimi dhe edhe sot, parashtrojmë të njëjtën pyetje thelbësore: A e ka përfshirë Ministria e Shëndetësisë gjatë hartimit të ligjit strategjinë se si shteti do të përballet me zhvendosjen drejt tregut ilegal, mungesën e qasjes në produkte legale dhe pasojat mbi ekonominë e përgjithshme të shkaktuara nga rënia e të ardhurave buxhetore?
Ne, si Grupacion, kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë transparencë reale, përfshirje thelbësore dhe zgjidhje rregullatore që janë proporcionale, të zbatueshme dhe të bazuara në prova, e jo masa që shkojnë përtej praktikave dhe direktivave evropiane, si dhe që janë të pa harmonizuara me dispozitat e tjera ligjore në fuqi dhe që krijojnë më shumë dëm sesa dobi.
Kompanitë anëtare të këtij Grupacioni sjellin ekspertizë nga mbi 180 tregje në mbarë botën dhe mbeten plotësisht të gatshme të kontribuojnë në një zgjidhje që do të jetë vërtet efektive, e zbatueshme dhe në interes të shëndetit publik, qytetarëve dhe ekonomisë.
