Avokatja Ivana Koceveska, mbrojtëse e pronarit të “Puls”, Dejan Jovanov, në seancën e sotme kërkoi nga gjykata të marrë vendim për transferimin e Jovanovit në burgun e Idrizovës, pasi stafi i burgut në Kumanovë, sipas saj, po sillet në mënyrë “degraduese, çnjerëzore dhe poshtëruese ndaj të pandehurit”.
Kërkesa e saj kishte të bënte gjithashtu me faktin se salla e gjyqit, ku po zhvillohet procesi, ndodhet afër burgut, si dhe për shkak të gjendjes shëndetësore të tij dhe nevojës për ndërhyrje mjekësore.
Më parë, avokati Petre Shilegov, mbrojtës i Shefqet Hazarit nga Ministria e Ekonomisë, në fillim të seancës së sotme kërkoi që të rishikohet aktakuza për të përcaktuar se kush ishte drejtpërdrejt i përfshirë dhe kush jo, si dhe të bëhet ndarja e procedurave. Në të njejtën kohë, kërkoi shtyrjen e seancës së sotme.
Gjykata e refuzoi këtë kërkesë, duke arsyetuar se nuk mund t’i japë udhëzime Prokurorisë se si të veprojë.
“Prokuroria publike është një organ i pavarur dhe gjykata nuk mund t’i japë udhëzime se si të veprojë ose nëse duhet të konsolidohet me PTHP NKOK, veçanërisht duke pasur parasysh se gjykata gjithmonë duhet të veprojë vetëm mbi aktakuzën e dorëzuar, pa u përzier në punën e Prokurorisë, si dhe për shkak se nuk ka pasur qasje në aktakuzën tjetër dhe edhe nëse tani do të kishte, nuk mund të bëjë krahasim”, tha gjyqtarja Diana Gruevska-Ilievska.
Sipas Shilegovit, aktakuza kundër disa të pandehurve, përfshirë Shefqet Hazarin, është ligjërisht e paqëndrueshme, pasi ata nuk kishin kompetencë ligjore për mbikëqyrje inspektimore, duke theksuar se “drejtësia nuk duhet të ndërtohet mbi padrejtësi”.
Gjykimi vazhdoi me dëshminë e Ana Kostadinovskës, vokalistja mbështetëse e grupit DNK. Pas dëshmisë së saj, është parashikuar të merren në pyetje edhe katër dëshmitarë të tjerë.
Më 16 mars të vitit 2025, gjatë pjesëmarrjes së grupit DNK në diskotekën “Puls” në Koçan, shpërtheu zjarr, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Në objekt kishte më shumë vizitorë se numri i lejuar, mes të cilëve edhe të mitur, ndërsa mjetet piroteknike u aktivizuan pa leje. Objekti ka punuar në mënyre ilegale më shumë se një dekadë, pa kushte teknike minimale, me rikonstruime pa leje dhe pa sistem për mbrojtje kundër zjarreve.
Për aksidentin u akuzuan mbi 30 persona fizik dhe tre juridik. Mes tyre ka pronarë lokalesh, menaxherë, inspektorë, ish kryetarë komunash, anëtarë të sigurimit dhe zyrtarë shtetëror.
Gjykimin do ta udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa prokuroria është përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh publik.
