Ramadan Imeri ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar të Komunës së Dibrës. Ai do të garojë si kandidat i pavarur, pa mbështetje partiake, duke u zotuar për një qeverisje të ndershme, njerëzore dhe pranë qytetarëve.

Në shkrimin e tij, Imeri thekson se synon t’u shërbejë dibranëve me përgjegjësi e përkushtim, duke vënë në plan të parë vlerat, veprat konkrete dhe afërsinë me qytetarin.

Krah tij, si bartës i listës, do të jetë Dërgim Kaja.

Postimi i plotë i Ramadan Imerit:

Të nderuar qytetarë të Dibrës,

Unë, Ramadan Imeri, kandidoj si i pavarur për kryetar të Komunës së Dibrës.
Pa parti, pa interesa të fshehta, me vetëm një qëllim të qartë:
T’ju shërbej me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim të plotë.

Jam njeri i fjalës dhe i besës. Deri sot, askujt nuk i kam dalë nga fjala.
Çfarë kam premtuar, e kam realizuar.
Çfarë kam mundur, e kam dhënë me zemër.
Kam ndihmuar pa kamera, pa zhurmë, pa interesa personale – sepse kështu më thotë ndërgjegjja dhe kështu jam rritur: të jem njeri, mbi të gjitha.

E di si është të trokasësh në një derë dhe të mos të hapet.
E di si ndihet padrejtësia dhe harresa.
Por e di edhe si ndërtohen besimi, respekti dhe dinjiteti – me vepra, jo me fjalë.

Dibra nuk ka më kohë për premtime boshe.
Ka nevojë për një drejtim të ri – të ndershëm, njerëzor dhe të afërt me qytetarin.
Për një kryetar që nuk del vetëm në fushatë, por qëndron çdo ditë pranë njerëzve – në të mirë dhe në të vështirë.

Zotohem për një qeverisje që dëgjon, vepron dhe nuk harron.
Për një Dibër që ecën përpara me dinjitet dhe barazi.
Për një të ardhme që ndërtohet së bashku, jo në kurriz të qytetarëve.

Krah meje në këtë rrugë është Dërgim Kaja, bartës i listës, një njeri me integritet, përvojë dhe vlera të vërteta në shërbim të komunitetit.
Nuk kërkoj pushtet – kërkoj besimin tuaj.
Nuk premtoj gjithçka, por ju premtoj një gjë me siguri: nuk do t’ju zhgënjej kurrë.

Së bashku për një Dibër të drejtë, të ndershme dhe më pranë njerëzve.
Së bashku për një të ardhme që na bashkon, jo që na ndan.

Ramadan Imeri shpall kandidaturën për Komunën e Dibrës si i pavarur appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version