Seanca gjyqësore për rastin “Shtekli”, ku disa persona akuzohen për shitje të organizuar të drogës, është shtyrë për më 9 tetor, me kërkesë të avokatit të të pandehurit të parë, Rade Trajkovski – i njohur si Shtekli.

Para fillimit të seancës së sotme, Shtekli pësoi një krizë epileptike dhe u rrëzua në sallën e gjyqit. Pas ndihmës së mjekëve të urgjencës, ai refuzoi të marrë terapinë e ofruar, duke deklaruar se është duke marrë trajtim tjetër në burg. Në vijim, Gjykata vendosi që ai ta ndjekë seancën nga një hapësirë tjetër brenda gjykatës.

Mjekja e urgjencës deklaroi:

“E kontrolluam dhe ishte i kontaktueshëm, por vetë tha se nuk e dinte ku ndodhej. Refuzoi të marrë terapi sepse po përdor trajtim tjetër në burg. Nuk dëshironte as të nënshkruajë deklaratë për refuzimin e terapisë.”

Avokati i tij, Sashko Dukovski, reagoi duke theksuar se një krizë epileptike tek një person i diagnostikuar me këtë sëmundje nuk mund të konsiderohet prishje e rendit në sallën gjyqësore.

“Që nga fillimi i seancës, Rade Trajkovski nuk ka fyer dhe nuk ka prishur rendin. Menjëherë para nisjes së saj ai pati një krizë epileptike. I pandehuri është ekzaminuar dje dhe ka marrë terapi nga psikiatri, pasi kishte ide vetëvrasëse. Është e rëndësishme të dihet nëse ai e mori terapinë sot, pasi mungesa e saj mund të sjellë pasoja të tilla,” tha Dukovski, duke shtuar se mbrojtja nuk ka interes në zvarritjen e procesit. /Tv21

Share.
Exit mobile version