Grupet parlamentare akoma nuk kanë një koordinim rreth draft ligjit për ndryshimin e ligjit për qeveri me të cilin rregullohet funksionimi i qeverisë teknike në zgjedhjet e ardhshme, pas riorganizimit të disa ministrive.
Sipas partisë në pushtet, për shfuqizimin e qeverisë teknike pas zgjedhjeve të ardhshme nevojitet marrëveshje më e gjerë.
“Nuk kemi më Ministri për Punë dhe Politikë Sociale që të mund të zgjidhet ministër për Punë dhe Politikë Sociale. Nuk kemi më ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, këto dyja janë ndarë kështu që nuk mund të zgjidhet ministër. Këto ndryshimet janë të patjetërsueshme për të pasur qeveri teknike në zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi ynë të cilin duam ta harmonizojmë me të gjitha partitë politike është që pas zgjedhjeve të ardhshme, ta shfuqizojmë qeverinë teknike sepse e ka tejkalu edhe afatin edhe mandatin e ekzistencës”, deklaroi Brane Petrushevski, OBRM-PDUKM.
LSDM-ja mbetet kategorikisht kundër kurse VLEN-i është në të njëjtin qëndrim me partnerin e koalicionit, OBRM-PDUKM.
Për Frontin Evropian, disa nga ndryshimet e propozuara, posaçërisht neni që ka të bëjë me afatin e zbatimit të ndryshimeve, janë të paqarta. Megjithatë, ata thonë se shfuqizimi nuk mund të bëhet pa ndërmjetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë.
“Në qoftë se Marrëveshja e Përzhinës është arritur që të finalizohet dhe të nënshkruhet me prezencën e komunitetit ndërkombëtarë, e njëjta duhet edhe të shfuqizohet me prezencën e komunitetit ndërkombëtarë. Në qoftë se do të jetë kështu siç qeveria aktuale e kërkon shfuqizimin e qeverisë teknike, ato e bëjmë me të vetmin qëllim që ta keqpërdorin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ose cilatdo qofshin ato, ta keqpërdorin pushtetin dhe pozitën e tyre”, tha Rina Ajdari, Koordinatore e grupit parlamentar të Frontit Evropian.
Draft ndryshimet parashikojnë që ligji të hyjë në fuqi në ditën e tetë pas publikimit në Gazetën Zyrtare kurse dispozitat e tij do të zbatohen deri në ditën e publikimit të rezultateve përfundimtare dhe ndarjes së mandateve sipas njësive zgjedhore nga ana e KSHZ-së, për zgjedhjet e para me radhë për deputetë të mbajtura pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. /Alsat.mk

