Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, përmes një reagimi publik ka shprehur revoltën e saj për mosrespektimin e gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Siç sqaron Ajdari, ajo ka nisur disa pyetje deri tek ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në lidhje me disa prej investimeve të paralajmëruara nga vetë ai, miro edhe pse dokumenti nga deputetja është nisur në shqip, i njejti është përkthyer në gjuhën maqedonase për ministrin Aliu i cili është shqiptar.
Deputetja Ajdari shton se Kuvendi nuk po e respekton gjuh shqipe, duke theksuar se gjuha shqipe është zyrtare në shtet dhe si e tillë duhet të zbatohet.
Reagimi i plotë.
REAGIM PUBLIK
Turp i madh për një institucion që pretendon se i trajton qytetarët me barazi!!
Pyetjen si deputete shqiptare e parashtrova në SHQIP dhe vetëm SHQIP.
Kuvendi, me aminin e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi vendosi ta dërgojë vetëm maqedonisht në Ministrinë e Shëndetësisë, ku ministri është shqiptar.
Kjo është mungesë respekti ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj çdo shqiptari në këtë shtet.
Nuk mund të kërkoni vota në shqip, e pastaj shqipen ta lini jashtë institucioneve.
Nëse sot një pyetje zyrtare e një deputeteje shqiptare trajtohet vetëm maqedonisht, nesër çfarë do të injorohet tjetër?
Shqipja është gjuhë zyrtare dhe duhet të respektohet në çdo institucion, në çdo dokument dhe në çdo procedurë!!
Dhe sot, Kuvendi dështoi ashtu siç ka dështuar në vazhdimësi këto dy vite.

