Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali në emisionin “Triling” në TV24 ka folur rreth kërkesës së studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ai tha se si politikanë janë të obliguar të gjejnë mënyrën se si t’ju dalin në ndihmë studentëve.
“Ne i kemi 35 vite shtet. Dhe jemi përballur disa herë si shqiptarë me disa të drejta të munguara. Për këto të drejta është dashur të kalojnë dhjetëra vite për të arritur te rezultati final, gjegjësisht deri te fitimi i asaj të drejte themelore që e kanë kërkuar. Vlerësoj se logjika duhet të vendoset para atyre pengesave juridike dhe administrative që pamundësojnë shfrytëzimin e ndonjë të drejte bazike që dikujt i takon”, ka thënë Sali.
Edhe pse ministri Fillkov tha që të lexohet Kushtetuta, Sali tha se kjo po lexohet në mënyra të ndryshme.
“Ne e lexojmë Kushtetutën! Unë do të përsërisë se Kushtetuta po lexohet në mënyra të ndryshme. Pasiqë edhe Kushtetuta të jetë me ndonjë drejtim ndaj një ligji të caktuar dhe nëse ai ligj nuk ka qenë i definuar mirë për ta mbuluar këtë pjesë nga kërkesa e studentëve, mendoj se ne jemi të detyruar si politikanë të gjejmë mënyrën se si t’ju dalim në ndihmë atyre studentëve, pasi që ato janë qytetarë të këtij shteti, kanë studiuar këtu, kanë studiuar në fakultete ku ne i kemi akredituar, i kemi përkrahur dhe financuar si shtet. Dhe në fund të ditës nuk mund t’ia marrim të drejtën në cilën gjuhë ata do të drejtohen në momentin krucial të studimit të tyre”, deklaroi Sali.
