Ramush Haradinaj njofton se mbështet protestën e studentëve që do të mbahet në Prishtinë në mbrojtje të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, shkruan Telegrafi Maqedoni.

“Mbështesim protestën e studentëve në kërkesat e tyre të drejta për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Nesër, në ora 14:00, në Prishtinë.

E drejta themelore për përdorimin e gjuhës shqipe, e garantuar me Kushtetutë, është e pacenueshme dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga askush. Çdo përpjekje për ta cenuar atë përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore.

Jemi krah studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime”, shkruan Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Kujtojmë se protesta e paralajmëruar për nesër në Prishtinë, është vazhdimësi e protestave të mbajtur në Shkup dhe Prishtinë nga studentët për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version