Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka hapur zyrtarisht hetimet për vrasje nga interesi kundër 53-vjeçarit Zh.G. nga fshati Bërvenicë i Tetovës, duke zbardhur një skenar rrëqethës ku vrasja ka ndodhur për të parandaluar të ndjerin Klime Mitreski (76 vjeç) që të anulonte kontratën për mirëmbajtje të përjetshme.
Kjo kontratë, e nënshkruar te noteri në shkurt të vitit 2025, parashikante që pas vdekjes së të moshuarit, i dyshuari nga Bërvenica do të trashëgonte një pasuri të madhe të paluajtshme, por viktima kishte nisur procedurat për ta shkëputur këtë marrëveshje.
Sipas organit të akuzës, më 25 mars 2026, pas një debati të ashpër për këtë vendim, i dyshuari e ka sulmuar të moshuarin nga mbrapa, e ka rrëzuar në dysheme dhe pasi e ka goditur disa herë me grushte në kokë, i ka bllokuar gojën dhe hundën me dorë duke i shkaktuar vdekjen përmes asfiksimit. I dyshuari nuk ka qenë në dijeni se veprimet e tij makabre janë regjistruar plotësisht nga kamerat e sigurisë brenda shtëpisë së viktimës, prova këto që së bashku me pamjet e tjera të lëvizjeve të tij deri në Bërvenicë, kanë çuar në arrestimin e tij të menjëhershëm.
Për këtë vepër penale parashikohet dënimi me së paku 10 vite burg ose burgim të përjetshëm, andaj Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për shkak të rrezikut të lartë të arratisë dhe ndikimit mbi dëshmitarët.

Share.
Exit mobile version