
Shoqata e Prokurorëve Publikë u kërkon deputetëve të tërheqin nga rendi i ditës pikën për ndryshimin e Ligjit për Pagat e Prokurorëve Publikë, e cila u propozua në seancën e 89-të të Kuvendit të planifikuar për sot.
Në një reagim publik, prokurorët kërkojnë që të shqyrtohen në detaje propozim-ndryshimet ligjore, me të cilat parashihet ulja e pagave të funksionarëve publik të zgjedhur dhe emëruar.
“Prokurorët publikë janë të vetëdijshëm për situatën ekonomike dhe nevojën për kursime, por sipas ligjit, paga e një prokurori publik nuk mund të ulet me ligj ose vendim të një organi shtetëror, përveç në rastin e përgjegjësisë disiplinore”, thuhet në reagim.
“Prokurorët punojnë në kushte komplekse, me mbështetje të pamjaftueshme materiale dhe profesionale, dhe shtesat e përcaktuara me ligj për kompleksitetin e punës nuk janë paguar me vite. Pagat, variojnë nga rreth 90,000 deri në 130,000 denarë dhe janë më të ulëtat në rajon”, thuhet në reagim.
Shoqata kujton se Gjykata Kushtetuese ka filluar tashmë procedurë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e ndryshimeve të mëparshme në ligj (U.Nr.71/25 e 24.12.2025), të cilat ulën koeficientët dhe kufizuan rritjen e pagave.
Sipas tyre, ndryshimet e reja thellojnë më tej pasigurinë ligjore, pasi ato përsëri parashikojnë ulje të koeficientëve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në shumën e pagave.
“Ne besojmë se një zgjidhje e tillë është jokushtetuese dhe e paligjshme dhe përbën kërcënim për pavarësinë e prokurorëve publikë përmes presionit ekonomik”, thuhet në reagim.
Shoqata kërkon që pika e propozuar të tërhiqet nga rendi i ditës dhe që ndryshimet të shqyrtohen plotësisht para se të propozohen përsëri./Telegrafi/





