Qendra e Biznesit dhe Inovacionit (BIC) organizoi një sesion informues në hapësirat e 700 Accelerator Hub në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë, dedikuar Programit Erasmus për Sipërmarrësit e Rinj (EPIC Programme), një iniciativë e Bashkimit Evropian që ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit të sipërmarrësisë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimeve ndërkufitare.
Gjatë këtij sesioni, pjesëmarrësit u njohën me qëllimin dhe përmbajtjen e programit EPIC, i cili u ofron sipërmarrësve të rinj dhe atyre që planifikojnë të themelojnë një biznes mundësinë për të punuar dhe bashkëpunuar për një periudhë nga një deri në gjashtë muaj me sipërmarrës të suksesshëm dhe me përvojë në një vend tjetër të Bashkimit Evropian apo një vend partner.
Qëndrimi i tyre financohet pjesërisht nga Komisioni Evropian dhe ofron përfitime të rëndësishme për zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe zgjerimin e rrjeteve profesionale.
Përmes programit, të rinjtë kanë mundësinë të fitojnë përvojë praktike në një ambient ndërkombëtar, të shkëmbejnë ide dhe qasje të reja, si dhe të forcojnë vizionin e tyre për drejtimin e një biznesi.
Përveç kësaj, u ofruan detaje të rëndësishme mbi mënyrën e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm, kriteret e përzgjedhjes, si dhe mbështetjen që ofrojmë ne si organizatë ndërmjetëse përgjatë gjithë procesit të shkëmbimit. U theksua gjithashtu se programi nuk ka kufizim moshe apo sektori.
Sesioni u prit me interes nga studentë, profesionistë të rinj dhe themelues të startupeve, të cilët shprehën dëshirë për të përfituar nga një mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe përfshirje në një rrjet të gjerë evropian të sipërmarrësve.
Kjo ngjarje dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të BIC për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të ofruar qasje në instrumente reale që ndihmojnë në rritjen dhe suksesin e bizneseve të reja.
Programi EPIC paraqet një dritare të re për zhvillim dhe bashkëpunim për të gjithë ata që synojnë të ndërtojnë një të ardhme sipërmarrëse, dhe ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur sa më shumë të rinj në këtë udhëtim ndërkufitar.Për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të mësojnë më shumë ose të aplikojnë për programin, ftoheni te vizitoni faqen zyrtare per lajme te fundit https://techpark.seeu.edu.mk/en/news-resources/latest-news?id=189 ose të na kontaktoni ne email bic@seeu.edu.mk /techpark@seeu.edu.mk
Programi EPIC: Mundësi për sipërmarrësit e rinj appeared first on Telegrafi.