Profesori me përvojë 40-vjeçare në arsim Satki Ismaili është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo” me të cilin kemi diskutuar për tema të ndryshme në fushën e arsimit. Ai tha se ka ndryshime të mëdha në arsim, që nga koha kur ka nisur të punojë. Profesori Ismaili tha se krenohet me periudhën e kaluar, por bëri thirrje që mësimdhënësit të jenë në hap me zhvillimet e kohës, sa i përket arsimit.

“Ajo që kemi kaluar para 40 viteve, vërehen ndryshime, disa janë që duhet t’i pranojmë dhe nuk mund të kërkojmë ajo që ka qenë. Duhet të krenohemi me të kaluarën, kushtet, sistemi arsimor, atmosfera, shoqërimi, qasja. Hulumtimet tregojnë se ka rënie të cilësisë së arsimit. 10 vitet e fundit notat janë rritur. Ekspertët e huaj për këtë thonë se nuk janë objektive, ata thonë se do të vijë kohë që nuk do të ketë nevojë të ketë nota. Testimet ndërkombëtare tregojnë se ka rënie të cilësisë së arsimit”, tha Ismaili.

I pyetur për dallimet në mes etnive sa i përket arsimimit, ai tha se institucionet shtetërore nuk tregojnë rezultatet e testimeve në bazë të përkatësisë së kombësisë.

“Mendoj se i ikin asaj të tregohet se si është dallimi në struktura të ndryshme, dmth nuk tregohen rezultatet tek shqiptarët, maqedonasit, turqët. Mirëpo ka hulumtime ndërkombëtare që janë të qarta të cilat tregojnë se ka dallim dhe ne kemi ngecje. Përveç asaj ne shqiptarët kemi ngecje në nivel shtetëror”.

“Pjesa dërmuese e ministrave të Arsimit në kohën e fundit kanë qenë shqiptar. Shqiptarët kanë qenë në institucionet vendimmarrëse, por nuk mund të themi që ministri ka qenë shqiptar dhe nuk ka kontribuar për arsimin shqip. Kyçja në politik i ka kriteret dhe kushtet e veta. Por ajo që është brengosëse është që ministrat interesohen më shumë për infrastrukturën dhe diskutojnë vetëm për çështjen e kushteve, ndërsa i lënë anash politikat arsimore, programet zhvillimore. Asnjëherë nuk bëhen hulumtime se çfarë është arritur nga programet dhe strategjitë nacionale”, tha ai.

E pyetëm se çfarë do të ndryshonte nëse ai do të ishte ministër i Arsimit, ndërsa Ismaili përmendi disa gjëra.

“Është mirë që ekipi të jetë ekspertë dhe të jenë njohës të arsimit. Pastaj mjaft me rëndësi janë që strategjitë arsimore të ministrit të Arsimit që shpërndahen të bazohen strategjitë nacionale dhe programet zhvillimore që i kanë të parapara në kohë të caktuara. E treta është me rëndësi që zhvillimi profesional i të përfhisrëve në arsim, të jenë në vazhdimësi me kërkesat e kohës me zhvillimet që i kërkon koha. Gjithashtu duhet të bëhet depolitizim i arsimit, derisa arsimi është i politizuar nuk mund të kemi cilësi”, tha Ismaili.

Ai gjithashtu tha se në këtë periudhë mësimdhënësit nuk i japin rëndësi mendimit kritik të nxënësve dhe më shumë fokusohen te mbajtja në mend./Telegrafi/

Profesori Satki Ismaili: Nuk do të kemi arsim cilësor pa depolitizim appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version