Policia realizoi kontrolle të përforcuara në komunikacion në Shkup dhe Kumanovë, duke shqiptuar gjithsej 396 masa ndëshkuese për shkelje të rregullave të trafikut.

Në Shkup, gjatë një aksioni gjashtëorësh u shqiptuan 326 gjoba, prej të cilave 92 për drejtim motoçiklete pa kokore mbrojtëse. U evidentua edhe një vepër penale për “drejtim të pakujdesshëm të automjetit”, ndërsa një automjet u sekuestrua për shkak të dyshimeve për parregullsi teknike.

Në Kumanovë, policia shqiptoi 70 masa, përfshirë 39 gjoba ndaj motoçiklistëve pa kokore dhe nëntë ndaj drejtuesve të trotinetëve elektrikë që nuk respektuan rregullat e komunikacionit. Gjatë kontrollit u zbuluan katër vepra penale, u arrestua një person për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, ndërsa u sekuestruan tre motoçikleta dhe një katërçikël.

Policia njofton se kontrollet e shtuara në trafik do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.

Share.
Exit mobile version