
Hulumtuesi, publicisti dhe poeti, prof. dr. Sevdail Demiri, dhe shkrimtari Resul Shabani janë fituesit e sivjetmë të Çmimit Shtetëror “22 Nëntori” për vitin 2025.
Çmimi u ndan sot në Sallën Kristale të Kuvendit.
Sevdail Demiri shprehu falënderim të thellë për këtë nder të jashtëzakonshëm shtetëror, i cili, siç tha ai, vjen si kurorë e pothuajse tre dekadave punë të pandërprerë në sferën publike.
“Edhe më i madh është nderi im, pasi kjo mirënjohje është simbol i fuqishëm i identitetit shqiptar”, theksoi Demiri.
Ndërsa Resul Shabani falënderoi kryetarin e Kuvendit, ministrat, deputetët e pranishëm, miqtë dhe dashamirësit e arsimit dhe kulturës, si dhe anëtarët e Këshillit për ndarjen e Çmimit “22 Nëntori”.
Ky vlerësim u jepet figurave nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës njerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis anëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme në vend.




