Dejtoria e Parkut Kombëtar të Mavrovës ka filluar zbatimin e mbikëqyrjes me video. Sistemi i ri duhet të ofrojë nivel më të lartë të mbrojtjes së natyrës, si dhe siguri të shtuar për jetën e egër dhe vizitorët.

Në kumtesë thuhet se Departamenti për Mbrojtjen dhe Monitorimin e Parkut Kombëtar të Mavrovës, ka vendosur kamera në 60 lokacione në të gjithë territorin e parkut. Instalimi i pajisjeve, siç thuhet nga Parku Kombëtar i Mavrovës, është në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet ligjore dhe lidhet me mbrojtjen, promovimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të vlerave natyrore, diversitetit biologjik dhe ekosistemeve.

“Në këtë mënyrë, do të monitorohen speciet e kafshëve të egra dhe statusi i tyre numerik. Përveç kësaj, do të mundësojë parandalimin dhe zbulimin e hershëm të aktiviteteve të paligjshme, siç janë prerja e paligjshme e pyjeve, gjuetia, ndotja, shkatërrimi i burimeve natyrore dhe veprime të tjera që mund të shkaktojnë dëme në mjedis”, thuhet në njoftim.

Mbikëqyrja me video do të mundësojë gjithashtu monitorim më të mirë të kushteve në natyrë, lëvizjes së kafshëve të egra dhe reagimit në kohë nga shërbimet kompetente, duke përmirësuar kështu mbrojtjen dhe menaxhimin e përgjithshëm të parkut.

Drejtoria e parkut kombëtar në Maqedoni u bën apel vizitorëve që t’u përmbahen rregullave për lëvizje dhe qëndrim brenda parkut, të respektojnë natyrën dhe të veprojnë me përgjegjësi në ruajtjen e pasurisë natyrore.

Share.
Exit mobile version