Prokuroria në seancën e sotme dëgjimore për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçani paraqiti dokumentacion mjekësor dhe të dhëna për të lënduarit që u paraqitën për ndihmë mjekësore pas zjarrit, në të cilin humbën jetën 63 persona dhe u lënduan mbi 200.

Në sallën e gjyqit në Idrizovë, prokurorja Natasha Saramandova paraqiti raportet e ekspertëve për 157 persona me lëndime të rënda trupore, si dhe 65 të lënduar që morën lëndime trupore. Nga të gjithë të lënduarit në zjarr, rreth 20 janë fëmijë.

Ekzaminimi nga ekspertiza i dokumentacionit mjekësor të të lënduarve në zjarrin e 16 marsit 2025, gjeti lëndime nga gazrat e dëmshme dhe dehja, lëndime të rënda trupore me djegie në fytyrë, krahë, trup dhe shpinë nga 6 deri në 30% të sipërfaqes totale të trupit, si dhe djegie në organet e frymëmarrjes, dëmtim të funksionit të frymëmarrjes dhe lëndime në organet e frymëmarrjes për shkak të thithjes së monoksidit të karbonit.

Mbrojtja reagoi ndaj paraqitjes së provave duke thënë se ishte vetëm një lexim i listës së provave, dhe jo një lexim dhe paraqitje e provave.

Më parë, Prokuroria paraqiti gjetjet dhe mendimet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore mbi shkaqet e vdekjes së viktimave.
Autopsia e 59 viktimave të zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan tregon se vdekjet e tyre ishin të dhunshme dhe ndodhën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version