
Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar në lidhje me miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë nga Qeveria. Osmani në një postim në Facebook këtë ligj e quan ligj karikaturë, ndërsa thekson se balancuesi zëvendësohet me një komision që do të japë raport një herë në vit për përfaqësimin e drejtë.
“Vazhdojnë provokimet. Ende pa u tha plaga e gjuhës, të cilën çdo ditë me gisht e me fjalë e gryejnë, ata që kanë urrejtje ndaj gjithçkaje shqipe, sot kan hapur një plagë të re”.
“Qeveria paska miratuar një ligj karikaturë të Karakamishevës për “përfaqësim të drejtë”, ku balancuesi, që ishte formulë obligative ligjore për garantimin e përfaqësimit të drejtë, zëvendësohet me një komision i cili një herë në vit do të japë raport për përfaqësimin e drejtë. Provokim pas provokimi. Deri kur?”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, sot në qeveri Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mori dritë të gjelbër, ndërsa zv.kryeministri Bekim Sali në një konferencë për shtyp tha se me këtë ligj është përmbyllur një proces, i cili ka kaluar në disa faza dhe është mbyllur me vulë të Komisionit të Venecias.




