
Profesori universitar Afrim Osmani theksoi që mendimi miqësor i Komisionit të Venecias nuk jep përgjigje konkrete rreth çështjeve që kanë të bëjnë me kontestimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por është vetëm një shpjegim i standardeve apo normative ndërkombëtare dhe evropiane për përdorimin e gjuhëve nga ana e pakicave.
“Këtu tashmë edhe parashtrimi i pyetjeve siç e thekson në vetë përgjigjen Komisioni i Venecias janë pyetje abstrakte dhe janë pyetje të përgjithshme. Andaj, në pjesën dërmuese të përgjigjes që e ka dhënë Komisioni i Venecias kemi përgjigje të përgjithshme pa mos u fokusuar në diçka konkrete. Tani do të vjen në shprehje kurthi i parë që çështja t’i referohet kushtetueses dhe vendimin e tyre njëfarë lloj ta bazojnë te gjoja mendimi i Komisionit të Venecias. Mirëpo, diçka konkrete viza-vijë ligjit mbi përdorimin e gjuhëve nuk kemi. Thjeshtë kanë kërkuar mendim mbi standardet apo mbi aktet apo normativën juridike ndërkombëtare dhe atë evropiane”, deklaroi Afrim Osmani në intervistën për “Alsat”.
Për dallim të Ligjit për Gjuhën Maqedonase, i cili është mjaft i rreptë dhe që respektohet nga institucionet, Osmani thekson që Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është lënë në vullnetin e mirë të funksionarëve.
“Fatkeqësisht është lënë në, ne juristët themi “bona fide” në vullnet të mirë të institucionit apo udhëheqësit të atij institucioni. Ne juristët themi, qoftë edhe ligji më i keq i cili aplikohet apo implementohet është më i miri, kurse më i keqi është më i miri i cili aspak nuk implementohet. Në rastin konkret, kemi vetëm implementim të cunguar, të themi vetëm nga pala shqiptare që është pjesë e pushtetit qendror po ashtu edhe atij lokal, por jo edhe palëve tjerë që janë pjesë e pushtetit”, tha Afrim Osmani, profesor universitar.
Për më 19 qershor është paralajmëruar të mbahet seanca përgatitore për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve në të cilin pritet të marrin pjesë, ekspertë, profesorë, por edhe parashtruar të iniciativave kundër ligjit. Mes tyre, do të ketë dhe përfaqësues të Komisionit të Venecias të cilët do ta prezantojnë këshillën miqësore. Venecia duket se ka zbutur qëndrimin e tij në përgjigjet e dy pyetjeve që Gjykata Kushtetuese i kishte dërguar, në prag të seancës përgatitore.
Në dokumentin e publikuar thuhet se “asgjë nuk e pengon shtetin të garantojë të drejta më të gjera gjuhësore në procedurat gjyqësore, derisa nuk pengohet administrimi i duhur i drejtësisë. Por, nëse bëhet një zgjedhje e tillë, është edhe më thelbësore të sigurohen burime të mjaftueshme financiare që lejojnë zbatimin e dispozitave ligjore”. Pra, në një farë mënyrë, Venecia e lë këtë çështje në vullnetin e shtetit dhe financave të tij. /Alsat/
Osmani: Komisioni i Venecias për Ligjin e Gjuhëve nuk ka shpjegime konkrete appeared first on Telegrafi.