Partia në pushtet OBRM-PDUKM sot lëshoi një deklaratë duke akuzuar Zoran Zaevin dhe Venko Filipçen se synojnë ta shndërrojnë Maqedoninë në një atraksion turistik global për kanabisin.
Sipas partisë në pushtet, LSDM, e udhëhequr nga Zoran Zaev dhe Venko Filipçe, ka abuzuar me procesin e rregullimit të kanabisit mjekësor në Maqedoni.
Partia thotë se në vitin 2020, Zaev dhe Filipce dolën me një plan për të nxjerrë fitime të mëdha nga biznesi i marijuanës dhe donin ta legalizonin plotësisht atë, por kjo, sipas OBRM-PDUKM, nuk funksionoi.
“Kjo është arsyeja pse licencat për kultivimin e kanabisit mjekësor ishin të rezervuara ekskluzivisht për njerëz të afërt me klanet Zaev dhe Filipçe. Qytetarët e zakonshëm dhe kompanitë nuk kishin asnjë shans për të marrë një leje”, thuhet në deklaratën e OBRM-PDUKM-së.
Ata thonë se për shkak të favorizimit se kush do të marrë licenca, rajoni i Strumicës është shndërruar në një qendër për prodhimin e marijuanës për qëllime mjekësore.
Sipas OBRM-PDUKM-së, provë se gjithçka ishte menduar paraprakisht është rregullorja për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, e cila u miratua gjatë kohës së LSDM-së dhe ku ata thonë se ka një mospërputhje, sepse lejon prodhimin e lules së kanabisit që nuk i plotëson standardet GMP.
“Prodhimi i kanabisit që nuk i plotëson standardet GMP e bën vajin e kanabisit të paligjshëm për licencim dhe tregti. Pikërisht për këtë arsye e gjithë kjo ngre dyshime për motive kriminale. Me këtë metodë prodhimi dhe ruajtjeje, ekziston dyshimi se kanabisi ishte për shitje në tregun e zi”, shtojnë nga OBRM-PDUKM./Telegrafi/

