OBRM-PDUKM ka reaguar ndaj deklaratës së kandidatit të BDI-së për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, duke vlerësuar se pretendimet e tij për “emisarë” nga opozita janë “trillime dhe skenarë që ekzistojnë vetëm në fantazinë e tij”.
Nga OBRM-PDUKM thonë se BDI dhe LSDM janë në panik, prandaj dhe po krijojnë shpifje të tilla.
“Me deklarata të tilla, Osmani përpiqet të fshehë panikun në të cilin ndodhen BDI dhe LSDM para humbjes së sigurt zgjedhore. Truket e vogla të ‘kontit nga Zajazi’ nuk kalojnë as në kopsht fëmijësh. E vetmja porosi që sjellin përfaqësuesit e tyre është thirrja për përgjegjësi ndaj kartelit kriminal BDI-LSDM. Osmani sot nuk është gjë tjetër veçse zëdhënësi i fundit i kartelit që qytetarët e kanë njohur prej kohësh. Por mbrojtja e tij është e kotë – nuk ka më pazare dhe ndërhyrje politike prapa shpinës së popullit”, thonë nga OBRM-PDUKM.
Nga partia e Mickoskit thanë se pas 19 tetorit, BDI dhe LSDM do të shkojnë në pension politik.