Kryeministri Hristijan Mickoski sot së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit Aleksandar Nikolloski dhe drejtorin e NP “Rrugë Shtetërore”, Koce Trajanovski, realizuan vizitë pune në projektet infrastrukturore që po realizohen në pjesën perëndimore të Korridorit 8.
Pas inspektimit të punimeve ndërtimore në autostradën Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçani, zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se punimet po zhvillohen me dinamikën e nevojshme. Të gjitha sfidat në trasenë po zgjidhen me koordinim të mirë mes institucioneve, ndërsa Qeveria i ka mundësuar operatorit një front të hapur pune në të gjithë trasenë.
“Ne shpesh flasim për këto projekte në paraqitjet tona publike, në konferenca për shtyp, në intervista, ja tani të shihen në terren. Tashmë e kemi kaluar një seksion, autostradën nga Tetova deri në Gostivar, në publik është krijuar perceptimi se është autostradë, por në fakt është rrugë ekspres dhe për herë të parë në këtë segment do të ndërtohet autostradë. Seksioni i dytë është ky ku jemi tani. Diçka që për shumëkënd ishte e paimagjinueshme, që ndonjëherë do të ketë autostradë që e anashkalon Strazhën dhe pjesën më të vështirë të lidhjes me Ohër dhe Strugë dhe gjithë Korridorin 8. Këtu para nesh shihet se po punohet intensivisht në ura, në hapjen e trasesë së autostradës, në skarpata, vërtet po kryhen punë të jashtëzakonshme inxhinierike. Si Qeveri po bëjmë gjithçka që t’u mundësojmë kompanive ndërtuese të përfundojnë sa më shpejt projektet dhe qytetarët t’i përdorin ato. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për PBB-në, jam krenar që në tremujorin e tretë të vitit të kaluar rritja në ndërtimtari ishte 21%, ndërsa në të katërtin 16.7%. Presim rezultate të mira edhe për tremujorin e parë të këtij viti dhe vazhdimësi në periudhën e ardhshme”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Ai potencoi tre sfida në ndërtimin e këtyre segmenteve. E para lidhet me dislokimin e rrjeteve telekomunikuese ndërkombëtare dhe vendore, instalimeve elektrike dhe furnizimit me ujë për Pollogun.
“Pjesa e dytë, për fat të keq, duhet të them se qeveria e kaluar për dy vite nuk kishte bërë asgjë. Kjo nuk është vetëm deklaratë e imja apo e kryeministrit apo e drejtorit të NPRRSH-së. Për këtë në muajin nëntor kemi marrë njoftim zyrtar nga inxhinieri mbikëqyrës, i cili kërkoi zgjatje të afatit për përfundimin e projektit për të paktën dy vite, sepse duhej të kompensoheshin ato dy vite të humbura nga qeveria e mëparshme dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç ta bëjmë këtë, kështu që afati do të shkojë të paktën deri në dhjetor 2029, gjë që nuk do të thotë se projekti nuk do të përfundojë edhe më herët”, tha Nikolloski.
Ai shtoi se një segment i rëndësishëm është edhe lidhja me komunat që gravitojnë përgjatë trasesë së autostradës.

