
Me 66 vota “pro”, 2 vota “kundër” dhe 8 “abstenime” sot, Kuvendi zgjodhi Nenad Saveskin si Prokurorin e ri Publik të Shtetit.
Propozimin në Kuvend sot e shpjegoi zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikolloski, i cili vlerësoi Saveskin dhe lexoi biografinë e tij.
“Një njeri që ishte prokuror, gjykatës, tani ka mundësinë të jetë kreu i Prokurorisë, një njeri pa njolla dhe të kaluar, një njeri që vjen nga Gostivari, nuk dëshiron të largohet nga Gostivari, do t’i duhet të udhëtojë çdo ditë”, thotë Nikolloski.
Fjalën e mori edhe deputeti Skender Rexhepi, i cili foli për drejtësinë selektive, veçanërisht për shqiptarët të cilët, siç thotë ai, janë të margjinalizuar nga Prokuroria.
Rexhepi përmendi rastet “Monstra”, “Alfa”, “Almiri i vogël” dhe të ngjashme, si shembuj të drejtësisë selektive. Sipas deputetit, edhe Koçani ishte një rast i tillë, i drejtësisë selektive, dhe ai rast do të jetë shumë i rëndësishëm për Prokurorin Publik të sapozgjedhur./Telegrafi/






