Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski në televizionin Kanal 5 tha se Qeveria ndjek një politikë parimore dhe se kur bëhet fjalë për shkelje të ligjit, askush nuk do të jetë i mbrojtur.
“Para së gjithash, ne si shtet nuk veprojmë në këto raste. MPB-ja mund të veprojë vetëm mbi bazë të kallëzimit dhe kërkesës së Prokurorisë Publike dhe këtë edhe e bën. Kur merr një kërkesë apo kallëzim nga Prokuroria, atëherë vepron. Sa di unë, nuk është vetëm në Çair. MPB-ja ka vepruar ose do të veprojë edhe në komuna të tjera mbi bazë të kallëzimeve”, tha kryeministri për rastin e ndërtimeve pa leje në Çair.
Mickoski tha se duhet të luftohet korrupsioni dhe se një person i korruptuar nuk mund të jetë edhe bashkëpunëtor i tij.
“Ne ndjekim një politikë parimore, dhe këtë e njohin qytetarët. Dhe askush nuk do të jetë i mbrojtur – këtë e kam thënë shumë herë deri më tani. Kushdo qoftë, çfarëdo qoftë, nëse ka kryer vepër penale. Dhe këtu nuk ka dilemë. Qëllimi ynë si Qeveri, pika e parë e përbashkët, është lufta pikërisht kundër kësaj – kundër korrupsionit të mundshëm. Kushdo që ka ambicie të ndryshme, nuk mund të jetë bashkëpunëtor imi”, deklaroi Mickoski.
Kujtojmë se kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe disa të punësuarve të tjerë në Komunë, në të cilin thuhet se në komunë po përdoret një regjistër i falsifikuar i protokollit, në të cilin janë regjistruar kërkesat për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Arsovska ditë më parë u sulmua fizikisht dhe verbalisht pikërisht në Çair, teksa po inspektonte disa objekte të ndërtuara pa leje.
Ndërtimet pa leje në Çair, Mickoski: Askush nuk do të jetë i mbrojtur, MPB-ja ka të drejtën e veprimit për këto raste appeared first on Telegrafi.