
Deputetja nga radhët e VLEN-it, Mimoza Musa, deklaroi sonte se në vend të një rezolute pa peshë juridike, janë ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e çështjes së dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ajo në “Shenja” bëri të ditur se është formuar një grup punues në kuadër të qeverisë, i cili do t’i shqyrtojë të gjitha ligjet që lidhen me këtë çështje.
“Në parim jam për të mbështetur gjithçka, flas personalisht si deputete. Në vend që të nënshkruajmë një rezolutë që nuk ka peshë juridike, kemi ndërmarrë hapa konkretë për ta zgjidhur këtë problem, duke krijuar një grup punues brenda qeverisë që do t’i analizojë të gjitha ligjet.
Në dijeninë time ekziston një rregullore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e cila parasheh që certifikatat e noterit dhe juristit të mund të kërkohen në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip, por nuk është precizuar se në cilën gjuhë mund të jepet provimi. Ne po punojmë që të mos lëmë hapësira për zgjidhje gjysmake dhe që kjo çështje të mos mbetet për qeveritë e ardhshme”, deklaroi Musa.




