
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Pragë mbajti takim pune me Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorzhak. Në kuadër të bisedimeve u theksua bashkëpunimi i ngushtë dhe miqësor midis dy vendeve dhe u riafirmua angazhimi strategjik për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe intensifikimi i bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian.
Ministri Dvorzhak shprehu mirënjohje për progresin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut në procesin euro-integrues, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të reformave si bazë për negociatat aderuese për anëtarësim në Union.
Siç thuhet në njoftim, ministri Murtezani shprehu mirënjohje për mbështetjen e zëshme dhe konsistente të Republikës Çeke për politikën e zgjerimit, duke theksuar rolin e saj si partner parimor dhe të besueshëm në këtë proces strategjik.
“Ai theksoi se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik për Maqedoninë e Veriut, ku transferimin e përvojës dhe ekspertizës institucionale çeke në fushën e negociatave aderuese dhe shfrytëzimi i fondeve evropiane paraqet burim të rëndësishëm për progresin e kapaciteteve nacionale. Murtezani dhe Dvorzhak vlerësuan se zbatimi konsistent i reformave nuk është vetëm parakusht për progresin e negociatave aderuese në Union, por edhe faktor thelbësor për përforcimin e besimit dhe besueshmërisë së të gjithë procesit euro-integrues”.
“Në takim gjithashtu u theksua rëndësia e zhvillimit dhe ndihmës teknike, si dhe bashkëpunimi i frytshëm deritanishëm përmes instrumenteve IPA Tuining dhe TAIEX. Ministri Murtezani theksoi se ekzistojnë mundësi e rëndësishme për thellimin e këtij bashkëpunimi në më shumë sektorë, duke përfshirë edhe projektet e përbashkëta në kuadër të programeve territoriale evropiane, siç janë Interreg Europe dhe Euro-Med. Ministri Dvorzhak theksoi se Republika Çeke është e gatshme të ndajë përvojën e saj në fushën e politikave evropiane dhe të mbështesë përforcimin institucional të Maqedonisë së Veriut përmes formave të reja të partneritetit”.
“Ministrat Dvorzhak dhe Murtezani përshëndetën realizimin e suksesshëm të më shumë projekteve të rëndësishme të mbështetura nga Ambasada e Republikës Çeke në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të kahësuar drejt përmirësimit të kushteve në arsim, me theks të veçantë tek fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe inkurajimin e zhvillimit lokal përmes rregullimit të shtigjeve për këmbësorë dhe biçikleta dhe mbështetjes së iniciativave rinore. Njëherit u shqyrtua edhe mundësia për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral zhvillimor në fusha të reja me interes të ndërsjellë, duke përfshirë edhe shkëmbimin e ekspertizës dhe njohurive relevante për integrimin evropian”, thuhet në njoftim.
Në fund të takimit, bashkëbiseduesit u dakorduan për vazhdimin e dialogut të rregullt politik dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik, institucional dhe zhvillimor, me vizion të përbashkët për rajon të qëndrueshëm, prosperues dhe të integruar evropian.