Delegacion qeveritar i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, ministrat e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti dhe ai i drejtësisë Igor Filkov, vendosën kurorë me lule në memorialin në varrezat partizane në Butel të Shkupit, me rastin e kremtimit të ditës së Evropës dhe ditës së fitores mbi fashizmin.
Ministri Misajllovski përkujtoi sakrificën e luftëtarëve për një shtet të lirë dhe të pavarur.
“Këta janë heronj që, duke ndjekur idealet e Ilindenëve tanë për një Maqedoni të lirë, për dinjitet dhe një të ardhme pa tirani, dhanë jetën e tyre për këtë qëllim shumë fisnik. Sakrifica e tyre nuk është shkruar vetëm në librat e historisë – është pjesë e identitetit tonë. Ky vend nuk është asgjë më pak se një vend i shenjtë për ne, sepse këtu u bëjmë homazh atyre që ndihmuan në përfundimin e tmerreve të Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi Vlado Misajlovski, ministër i Mbrojtjes.
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në fjalimin e tij tha se 9 Maji nuk është vetëm një datë në kalendar por është dita kur sakrifica e miliona njerëzve ndriçoi rrugën drejt një fillimi të ri.
“Si Ministër për Çështjet Evropiane, dua të them se e ardhmja jonë Evropiane nuk është një deklaratë, është një vendim. Është një zgjedhje për një aleancë që na bashkon rreth paqes, lirisë dhe drejtësisë. Evropa nuk është vetëm gjeografike, është një hapësirë morale, e krijuar pikërisht për shkak të sakrificave të tilla si ato të heronjve të cilëve u vëmë lule sot”, tha Orhan Murtezani, Ministri për Çështje Evropiane.
Kurora me lule në memorial u vendosën edhe nga delegacionet të ambasadave të huaja në vend.
Murtezani: E ardhmja evropiane e Maqedonisë nuk është zgjedhje por vendim appeared first on Telegrafi.