Mungesa e vendparkimeve në hapësirat e Qendrës Klinike në Shkup vazhdon t’u krijojë vështirësi serioze qytetarëve, pacientëve dhe personelit mjekësor. Qytetarët e anketuar nga Alsat thanë se mungesa e vendeve për parkim u kushton jo vetëm kohë dhe para, por në disa raste edhe humbje të terminëve për shkak të vonesave.
“Shumë problem i madh. Këtu kur vijmë problemi i parë është parkingu pastaj gjërat tjera. E paguam një djalë që më duket se merret me parkingun, i dhamë 100 denarë që të kujdeset për makinën, tash sërish po paguajmë këtu”, tha një qytetar.
“Unë jam në specializim privat, për ne është pak shtrenjtë”, theksoi mjekja.
“Gjithmonë është problem. Duhet të bësh dy-tre xhiro që të gjesh vend dhe shtrohet pyetja nëse mund të gjesh. Garazhet në kate është zgjidhja më e mirë, ka njerëz kompetentë dhe profesional që duhet ta bëjnë. Nuk është problem çmimi por koha që humbim”, u shpreh një qytetar.
Disa qytetarë kërkojnë edhe organizim më të mirë të parkimit duke shtuar se përparësi duhet t’u jepet pacientëve që vijnë nga jashtë Shkupi.
“Këtu duhet të ketë garazhe në kate që të mund të parkohen të gjithë, posaçërisht tu jepet përparësi qytetarëve që vijnë jashtë Shkupit. Ata që janë nga Shkupi mund të vijnë dhe të gjinden më lehtë, për ata nga qytetet tjera ndoshta edhe duhet t’u sigurojnë hapësirë të veçantë. Duhet të tregojmë njerëzi”, thotë qytetari.
“Duhet të ketë më shumë personel që t’i sistemojë njerëzit, sepse të gjithë këtu paguajmë. Prandaj, për paratë e tua, këtu duhet të luftosh për një vend parkingu. Unë parkohem poshtë te hoteli, më mirë të paguaj 200 ose 300 denarë se sa të vrapoj pas parkingut”, theksoi qytetarja.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se është duke u përgatitur dokumentacioni për tenderin që ka të bëjë me ndërtimin e garazheve shumëkatëshe në Qendrën Klinike.
Shpallja e tenderit për projektim, furnizim dhe montim është planifikuar për gjysmën e parë të muajit korrik, ndërsa aktualisht procedura nuk është hapur për shkak të finalizimit të dokumentacionit teknik.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Qyteti i Shkupit kanë nënshkruar marrëveshje më 7 mars të këtij viti për ndërtimin e parkingjeve në kuadër të Qendrës Klinike “Nënë Tereza”. Në fazën e parë është planifikuar ndërtimi i dy parkingjeve moderne shumëkatëshe, me të paktën 500 vende parkimi, të cilat pritet të vihen në funksion në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. /Alsat.mk
