Pasi ish-Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, tha se dëshironte që Maqedonia të fillonte negociatat me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur, por se kushti për ndryshimet kushtetuese mbetet, Ministri i Punëve të Jashtme të RMV-së, Timço Mucunski, tha se vendi po lobon tek të gjitha vendet anëtare të BE-së për fillimin sa më të hershëm të negociatave, si dhe tek Bullgaria.

Radev: Duam ta shohim Maqedoninë në BE sa më shpejt të jetë e mundur

“Ne po lobojmë për racionalitet dhe vetëdije se është në interes të Bullgarisë fqinje që vendi ynë të fillojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Gjithashtu uroj që ish-Presidenti Radev të jetë i sinqertë në ato qëllime dhe deklarata.

Sigurisht, ai është një nga kandidatët për kryeministër dhe nëse bëhet kryeministër i vendit fqinj, ai do të jetë një nga ata njerëz me të cilët do të duhet të bashkëpunojmë dhe të punojmë për gjetjen e zgjidhjeve”, tha Mucunski në emisionin “Samo Intervju”.

Ish-presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev për “Berliner Zeitung” tha se sipas konsensusit evropian të korrikut 2022, Maqedonia duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj dhe t’i përfshijë bullgarët në mënyrë të barabartë me popujt e tjerë në Preambulë, dhe vetëm atëherë mund të fillojnë negociatat e anëtarësimit në BE./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version