Brenda Bashkimit Evropian, shohim një frymë të ripërtërirë të fokusuar në procesin e zgjerimit, por ajo që duhet të shohim në praktikë është mbyllja e hendekut që ekziston qartë në këtë moment midis pritjeve të krijuara dhe realizimit të tyre, tha sot në Varshavë Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ajo që mund të them, duke përfaqësuar vendin tim, është se do të jemi të përkushtuar ndaj reformave, do të jemi të përkushtuar ndaj harmonizimit me legjislacionin e BE-së, do të jemi të përkushtuar ndaj Agjendës së Reformave që është pjesë integrale e Planit të Rritjes, por në fund të fundit, presim që Brukseli, si dhe shtetet anëtare, të përmbushin premtimin shumë të qartë që iu bë Ballkanit Perëndimor shumë, shumë vite më parë”, tha Mucunski me të mbërritur në takimin joformal të krerëve të diplomacisë së shteteve anëtare dhe vendeve kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE, i cili po mbahet në Varshavë.

Mucunski theksoi se angazhimi ndaj zgjerimit në praktikë është i nevojshëm, por se procesi i bilateralizimit të procesit të pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga shumë shtete anëtare të BE-së gjithashtu duhet të përfundojë.

“Gjithnjë e më shumë po dëgjojmë për një perspektivë të qartë, që vjen si nga Komisioni i ri ashtu edhe nga shtetet anëtare, por tani është koha jo vetëm për fjalë, por edhe për zbatim”, theksoi Mucunski.

Ai theksoi se ky vit përfaqëson një përvjetor të rëndësishëm për ne, 20 vjet si vend kandidat, që do të thotë se kanë kaluar 20 vjet që kur kemi filluar negociatat e anëtarësimit./Telegrafi/

Mucunski: Po presim që Brukseli të përmbushë atë që i premtoi Ballkanit Perëndimor appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version