Maqedonia e Veriut për momentin nuk do ta njoh shtetin e Palestinës dhe se është në konsultim të vazhdueshëm me partnerët e saj strategjik SHBA dhe BE, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Duhet të jemi të disiplinuar dhe të kujdesshëm, jo impulsivë kur marrim vendime në fushën e politikës së jashtme”, tha sonte Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski në lidhje me çështjen e qëndrimit të vendit për njohjen e Palestinës si shtet i pavarur.

Ministri për “Sitel” nga New York tha se për këtë çështje konsultohet me partnerët strategjik SHBA, dhe BE, por siç tha, konsultimet do të vazhdojnë sepse nuk ka konsensus për momentin edhe brenda anëtarëve të BE-së.

“Po e monitorojmë nga afër situatën. Pa dyshim, jemi thellësisht të shqetësuar për situatën që po ndodh në Gaza nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe nuk ka dilema në lidhje me qëndrimet tona për këtë çështje. Ne të gjithë e shohim se çfarë po ndodh dhe është e papërshtatshme për shekullin e 21-të, por kjo nuk do të thotë që duhet të reagojmë impulsivisht dhe emocionalisht ndaj çështjeve të tilla në aspektin e pozicionimit të politikës sonë të jashtme”, tha Mucunski.

Mucunski përsëriti se konsultimet me partnerët do të vazhdojnë dhe kur të vijë koha, do të merret një vendim përfundimtar për njohjen ose jo të Palestinës.

“Megjithatë, në një kohë kur as vetë shtetet anëtare nuk kanë ndërtuar një konsensus, nuk është koha që ne të marrim ndonjë vendim”, shtoi ai./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version