Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, informoi nëpërmjet rrjeteve sociale se dje Kuvendi, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, miratoi ndryshimet në Ligjin për Punë të Jashtme, që sipas tij, paraqet hap thelbësor drejt profesionalizimit të diplomacisë dhe përmirësimit të kushteve për diplomatët maqedonas jashtë vendit.
Ministri Mucunski informoi se pas më shumë se një dekade, po bëhen ndryshime thelbësore, duke krijuar kornizë të qartë ligjore për zbatimin e dy prioriteteve kryesore: profesionalizimin e shërbimit diplomatik dhe përcaktimin e kompetencave të Ministrisë në fushën e tregtisë së jashtme dhe investimeve.
“Ndryshimet parashikojnë rritje të përqindjes së ambasadorëve nga radhët e diplomatëve të karrierës, zgjatje të mandatit të diplomatëve të dërguar në katër vjet (në vend të tre viteve të mëparshme), si dhe rregullimin e procedurës për emërimin e ambasadorëve dhe rolin e Parlamentit në atë procedurë. Përveç kësaj, është futur mundësia e emërimit të një përfaqësuesi të posaçëm shtetëror jashtë vendit, nëse ka një interes të veçantë për vendin”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Ndryshimet i mundësojnë Ministrisë që në mënyrë sistematike të marrë përsipër detyrimet që lidhen me krijimin e politikave për tregtinë dhe investimet e jashtme – një segment që nuk është specifikuar institucionalisht nga asnjë ligj tjetër deri më tani.
“Kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt profesionalizimit të diplomacisë, përmirësimit të kushteve të punës së diplomatëve maqedonas jashtë vendit, si dhe pozicionimit të duhur të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme në fushën e tregtisë së jashtme dhe investimeve”, ka shkruar Mucunski në njoftim.
Mucunski: Miratohen ndryshimet në Ligjin për punët e jashtme, hap thelbësor për profesionalizimin e diplomacisë appeared first on Telegrafi.