Ministria e Shëndetësisë njofton se një familje ka dhuruar organe, ndërsa janë shpëtuar disa jetë njerëzish.
“Kur dhimbja është e padurueshme dhe fjalët nuk kanë forcë, ekzistojnë njerëz që gjejnë fuqinë për të marrë ndoshta vendimin më human. Pikërisht këtë e bëri një familje, e cila në çastet më të vështira të jetës së saj vendosi t’u dhurojë jetë të tjerëve. Me këtë vendim të jashtëzakonshëm për dhurim organesh, njeriu i dashur i tyre vazhdon të jetojë në zemrat, trupat dhe buzëqeshjet e njerëzve që sërish kanë një mundësi për jetë”.
“Në kraharorin e një pacienti 52-vjeçar, i cili që nga viti 2021 priste me padurim dhe besim në listën kombëtare për transplantim – prej sot rreh një zemër e re. Simbol i një jete të re, një fillimi të ri dhe mirënjohjeje të pafund. Njëkohësisht, një djalë 23-vjeçar mori një veshkë dhe bashkë me të, një mundësi për një jetë më cilësore. Janë dhuruar edhe inde kockore, një tjetër dhuratë e jashtëzakonshme, që do të ndihmojë në shërim dhe rikthim të jetës”, thonë nga MSH.
“Ministria e Shëndetësisë shpreh respektin e saj më të thellë për këtë familje të guximshme. Vendimi i tyre për ne është udhërrëfyes në krijimin e politikave të ardhshme. Falënderim për të gjithë punonjësit shëndetësorë, përkushtimi, ekspertiza dhe profesionalizmi i të cilëve e realizuan këtë mision fisnik për shpresë dhe jetë të re”, thotë Azir Aliu.
“Respekt i madh për familjen e donatorit të ndjerë, e cila me këtë vendim të guximshëm vendosi ta ndryshojë fundin e historisë së dikujt. Kur jemi të bashkuar dhe kemi një mision kaq human, së bashku dhe si ekip mund të lëvizim kufijtë”, thotë Biljana Kuzmanovska.
