Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Klinika e Kardiologjisë dhe Klinika e Kardio-kirurgjisë do të bashkohen në një institucion të vetëm shëndetësor.
Vendimi është marrë nga Qeveria në mbledhjen e fundit, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas Ministrisë, ky vendim synon të sigurojë një nivel më të lartë integrimi, koordinimi dhe efikasiteti në trajtimin e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare.
“Me bashkimin e dy klinikave formojmë një qendër të vetme të nivelit terciar për mjekësinë kardiovaskulare, e cila garanton vazhdimësi të plotë të procesit diagnostik dhe terapeutik – nga parandalimi dhe diagnostikimi, deri te trajtimi intervent dhe kirurgjik. Duke eliminuar dyfishimet administrative dhe duke optimizuar strukturën organizative, krijojmë mundësi për kursim mjetesh që do të riinvestohen në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, modernizimin e pajisjeve mjekësore dhe edukimin profesional të stafit”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Nga Ministria bëjnë të ditur se ky bashkim do të mundësojë shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve, rritje të numrit të ndërhyrjeve përmes integrimit të shërbimeve laboratorike, të sterilizimit dhe të sallave operative. Pacientët do të marrin kujdes të plotë kardiologjik dhe kardio-kirurgjik brenda një institucioni të vetëm, pa pengesa administrative dhe pa pritje për transferim, duke siguruar kështu qasje më të lehtë dhe vazhdimësi në shërbimet shëndetësore.
Po ashtu, theksohet se bashkimi i klinikave do të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin e edukimit dhe kërkimit shkencor, përmes krijimit të një qendre akademike të unifikuar me më shumë mundësi për trajnim të specializantëve, subspecializantëve dhe zhvillimin e programeve shkencore.

