Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin publik se, me qëllim të ruajtjes së standardit profesional, dinjitetit të institucionit dhe respektit të ndërsjellë, është vendosur Kodi i veshjes për të gjithë punonjësit dhe qytetarët që vizitojnë ambientet e Departamentit për Çështje Civile pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Si institucion që shërben vazhdimisht qytetarët, besojmë se veshja e përshtatshme kontribuon për një atmosferë më të mirë pune dhe në respektimin e institucioneve shtetërore. Në këtë drejtim, i lusim të gjithë qytetarët që para ardhjes në ambientet tona (për tërheqjen e dokumenteve personale, pasaportave apo shërbimeve të tjera administrative) të sigurojnë që paraqitja e tyre të jetë në përputhje me normat e pranuara botërisht për institucionet publike.

Për veshje të papranueshme gjatë hyrjes në ambientet zyrtare të Departamentit për Çështje Civile konsiderohet:

  • veshje tepër e shkurtër (funde shumë të shkurtra dhe shumë të ngushta, si dhe funde që nuk janë të përshtatshme për institucion, si edhe pantallona të shkurtra të dizajnuara për plazh ose aktivitete sportive);
  • veshje që ekspozon në mënyrë të tepruar barkun, gjoksin ose të brendshmet;
  • veshje që zakonisht përdoret në shtëpi, në plazh ose në klube nate;-tuta sportive dhe veshje të destinuara ekskluzivisht për aktivitete sportive;
  • veshje me përmbajtje fyese (tekste, figura ose emblema që mund të jenë fyese për rrethin);
  • këpucë të papërshtatshme (shapka, pantofla, klompa, apostolke).

Njëkohësisht, theksojmë se të gjithë punonjësit e Departamentit janë të obliguar të respektojnë në mënyrë të plotë kodin e përcaktuar të veshjes për punonjësit e Ministrisë.

Share.
Exit mobile version