Gjatë 24 orëve të fundit, policia në mbarë vendin ka privuar nga liria 14 shoferë për drejtim të pakujdesshëm të automjetit.

Sipas MPB, tetë prej tyre kanë vozitur pa patentë shoferi, tre kanë qenë nën ndikimin e alkoolit, një ka drejtuar automjetin me ndalim aktiv për vozitje, një tjetër ka tejkaluar shpejtësinë e lejuar, ndërsa një person është kapur duke vozitur pa patentë dhe nën ndikimin e alkoolit.

Në Shkup janë ndaluar tre persona që kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi, dy në Manastir dhe nga një në Veles, Tetovë dhe Kavadar.

Policia njofton se në Shkup është kapur edhe një shofer që ka vozitur pavarësisht masës aktive të ndalimit për drejtim automjeti. Ndërkohë, në rajonin e Gostivarit një person është ndaluar për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.

Raste të drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit janë regjistruar në Tetovë, Ohër dhe Kumanovë, ndërsa në Berovë është ndaluar një person që ka vozitur pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit.

Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale. Nga policia u bëjnë apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të mos drejtojnë automjet pa patentë, me ndalim aktiv apo nën ndikimin e alkoolit, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion.

Share.
Exit mobile version