Moti i ngrohtë e ka zgjatur sezonin turistik përgjatë liqenit të Ohrit kurse bashkë me të edhe sezonin e notit. Edhe pse sot është dita e parë e vjeshtës, plazhet në Ohër dhe Strugë janë të mbushura.
“Uji është i ngrohtë dhe është i përshtatshëm për not. Kur hyn është i ftohtë, por pastaj është i mirë. A vini rregullisht në plazh në shtator? Po. Është këndshëm dhe duhet ta përdorim pak më shumë”, tha një turist.
“Dihet që vera e Ohrit është shtatori, liqeni është më i bukur dhe më i qetë. Është shumë këndshëm dhe është për të ardhur keq të rrish në shtëpi dhe të mos përfitosh nga ky mot i bukur. Ka mjaft të huaj, shoh që qyteti është ende plot dhe Ohri meriton të jetë plot në çdo kohë dhe çdo muaj”, shtoi një tjetër.
Temperatura e ujit në liqenin e Ohrit këto ditë është 21 gradë, që është ideale për sport dhe rekreacion. Ngjashëm është edhe në Strugë këto ditë.
“Kur largohesh nga plazhi, duhet të lash këmbët, por nuk ka asnjë çezmë, asnjë dush që të mund të pastrohemi”, theksoi një turist.
Këtë verë, turistët patën ankesa për çmimet e larta të shezloneve dhe çadrave në plazhe, të cilat silleshin nga 400 deri në 1600 denarë, varësisht se për cilin plazh bëhet fjalë. Pavarësisht detyrimit ligjor që 40% e plazhit të jetë falas, një pjesë e mirë e atyre që menaxhojnë plazhet nuk e respektuan këtë masë gjatë verës./Alsat/