Ministri i Jashtëm i RMV-së, Timço Mucunski nga Brukseli reagoi nëpërmjet rrjeteve sociale ndaj një deklaratës së ministres së jashtme bullgare, Vesisllava Petrova Çamova, në të cilën ajo tha se të dy kishin zhvilluar një takim dypalësh.
Mucunski thotë se nuk u zhvillua asnjë takim zyrtar dhe thekson se ajo që ndodhi ishte një “shkëmbim i shkurtër fjalësh në margjinat e një eventi”.
“Lidhur me deklaratën e koleges sime të re bullgare, Vesisllava Petrova Çamova, dua të sqaroj se sot nuk patëm një takim zyrtar dypalësh. Patëm një shkëmbim të shkurtër fjalësh në margjinat e një eventi, në prani të disa kolegëve. Nëse një bisedë njëminutëshe quhet “takim”, atëherë sot patëm vërtet shumë “takime”. Në të njëjtën kohë, dua t’ju kujtoj se përdorimi i termit “maqedonas i veriut” për t’iu referuar popullit maqedonas është i pasaktë dhe i papërshtatshëm.
Maqedonasit janë maqedonas. Kjo nuk është çështje politike, por e respektit themelor për identitetin dhe dinjitetin e një populli”, tha Mucunski në njoftim.
“Në diplomaci, preciziteti nuk është formalitet. Është një reflektim i respektit. Dhe, siç i thashë Vesisllavës, shpresoj që së shpejti do të zhvillojmë një takim, në një atmosferë miqësore dhe pozitive, që synon ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane”, shtoi Ministri./Telegrafi/

