Ministria e Mjedisit Jetësor ka publikuar raportin përfundimtar të matjeve të cilësisë së ajrit të grimcave PM10 në Trubarevë, ku theksohet se gjatë periudhës së monitorimit, respektivisht që nga dita e djeshme e deri më sot nuk është tejkaluar vlera e lejuar e grimcave PM10, me çka konstatojnë se ajri nuk është i ndotur dhe nuk ka rrezik nga thithja e ajrit në Trubarevë.

“Sipas rezultateve të marra, koncentrimet mesatare të grimcave PM₁₀ janë brenda kufijve të lejuar dhe nuk është evidentuar tejkalim i vlerave kufitare. Koncentrimet lëvizin brenda vlerës kufitare 24-orëshe për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, në përputhje me Urdhëresën për vlera kufitare për substanca ndotëse në ajrin ambijental”, njoftojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndërkohë, dje Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) theksoi se pas analizave të kryera për radioaktivitetin në ujë dhe tokë si dhe mostrat për analiza të metaleve të rënda, është konstatuar se në zonën e prekur në Trubarevë nuk ka prani të materieve të dëmshme në tokë si dhe nuk ka prani të metaleve të rënda në ujë. Është vërejtur rritje vetëm e bakrit dhe zinkut, që sipas Institutit është në kuadër të normales.

Nga dita e shpërthimit të zjarrit në Trubarevë, disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën e Tokiskologjisë, madje ka pasur edhe të shtruar në klinikë. Në dy ditët e kaluara edhe shtatë pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa tani më nuk ka pacientë të shtruar në klinikë si pasojë e zjarrit.

Share.
Exit mobile version