Komuna e Gostivarit ka filluar punimet për rikonstruksionin dhe ndërtimin e gjashtë terreneve sportive nga te cilët 4 janë terrene sportive, nje park me teren sportiv dhe nje kend lojrash sportiv.
Këto objekte gjenden në vendbanime të ndryshme të qytetit, duke e bërë sportin më afër të rinjve.
Siç informojnë nga Komuna e Gostivarit, 3 terrene ekzistuese do të rinovohen dhe do të pajisen me mjete moderne dhe shtresë tartani, ndërsa 3 terrene të reja do të ndërtohen nga e para, sipas standardeve më të larta bashkëkohore për siguri, cilësi dhe funksionalitet.
“Ky investim është pjesë e vizionit të Komunës së Gostivarit për të ndërtuar një rrjet të plotë të infrastrukturës sportive, ku çdo lagje dhe çdo vendbanim të ketë terrenin e vet sportiv. Punimet përfshijnë lokacione strategjike, duke përfshirë: Shkollën e Mesme të Mjekësisë, Shkollën e Mesme Teknike, zonën pranë Stacionit të Autobusëve, lagjen Maleardi, hapësirën te Amfiteatri dhe shëtitoren përgjatë lumit Vardar”, thuhet në njoftim.
Kryetari i komunës, Valbon Limani, beson se këto projekte do të kontribuojnë në shëndet më të mirë dhe zhvillim të të rinjve.
“Qëllimi ynë është i qartë: të krijojmë hapësira ku të rinjtë tanë të kalojnë kohë cilësore, të merren me sport dhe të rriten të shëndetshëm. Këto investime janë investime për të ardhmen e gjeneratave tona”, tha Limani.