
Ministria e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale sot informoi se Ligji i ri për energjetikë është publikuar në “Gazetën zyrtare” që do të thotë se pas afatit të caktuar nga dita e publikimit edhe zyrtarisht do të fillojë zbatimi i tij.
Ky ligj sistemik, reformues dhe ligj i harmonizuar evropian, siç thuhet në kumtesën e ministrisë është votuar në Kuvend me mbështetje të fortë, duke përfaqësuar një themel të ri për politikën energjetike në vend – ligj që rregullon plotësisht këtë sektor dhe ofron një vizion për një të ardhme energjetike të pastër, të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Me implementimin e Ligjit të ri, Maqedonia merr një kornizë të qartë dhe të qëndrueshme për një rritje të konsiderueshme të pjesëmarrjes së burimeve të rinovueshme në konsumin përfundimtar, efikasitet më të lartë energjetik dhe ulje të humbjeve, një treg të hapur dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve si prodhues dhe konsumatorë të energjisë, mbrojtje të kategorive të prekura dhe ulje të varfërisë energjetike si dhe një mjedis të parashikueshëm për investime vendase dhe të huaja në kapacitete të reja energjetike”, thonë nga Ministria e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale.
Në krijimin e Ligjit janë përfshirë ekspertë vendas, ndërsa siç theksojnë nga ministria resoriale, ai kaloi nëpër një proces gjithëpërfshirës që përfshinte të gjithë palët e interesuara – institucionet, ekspertët, operatorët, sektorin e biznesit, organin rregullator dhe organizatat e shoqërisë civile. Ligji mori mbështetje edhe nga Sekretariati i komunitetit energjetik.
“Zbatimi zyrtar i Ligjit paraqet fillimin e aktiviteteve konkrete për digjitalizimin, modernizimin dhe transformimin e gjelbër të sektorit të energjisë, drejt qëndrueshmërisë ekologjike, ekonomike dhe sociale”, thuhet në kumtesë.
Nga ministria thonë se do të vazhdojnë me zbatimin e koordinuar dhe të përgjegjshëm të të gjitha dispozitave me qëllim të qartë: të sigurojë energji të qëndrueshme, të pastër dhe të qasshme për të gjithë qytetarët dhe ekonominë.
“Me këtë Ligj, Maqedonia po bën një hap të rëndësishëm para – drejt sigurisë energjetike, rritjes së gjelbër dhe të ardhmes evropiane”, theksojnë nga Ministria e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale.
Ministria e Energjetikës dhe Minierave: Prej sot filloi zyrtarisht zbatimi i Ligjit të ri për energjetikë appeared first on Telegrafi.