Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e OBRM-PDUKM-së, Antonio Milloshoski, në profilin e tij në Facebook ka komentuar zgjedhjen e djeshme të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit, duke e quajtur të paligjshme, ndërsa për kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, thekson se ka kryer edhe vepër penale.
“Në procedurën për zgjedhjen e gjyqtarëve në Apelin e Shkupit janë bërë shkelje thelbësore të procedurës nga ana e Këshillit Gjyqësor, ka pasur zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe nuk është përcaktuar plotësisht gjendja faktike. Këto janë paligjshmëri serioze për shkak të të cilave, në rast të një padie të mundshme nga ndonjë prej kandidatëve para gjykatës kompetente, do të anulohen vendimet për zgjedhje në Apelin e Shkupit, ngjashëm siç u anulua kohë më parë edhe procedura e paligjshme e Këshillit Gjyqësor për propozimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Milloshoski.
Sipas tij, nëse Prokuroria Publike apo ndonjë nga kandidatët siguron të gjithë dokumentacionin që tregon se Këshilli Gjyqësor ka injoruar vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme dhe aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Administrative – të cilat pas padisë së njërit prej kandidatëve tregojnë për shkelje thelbësore nga ana e Këshillit në këtë procedurë të renditjes – atëherë do të kenë bazë serioze për ngritjen e aktakuzës kundër kryetarit të Këshillit, Aleksandar Kambovski, për moszbatim të vendimit gjyqësor, që është e dënueshme sipas nenit 377 të Kodit Penal.
“Tragjike apo jo, por reforma në gjyqësor me këtë përbërje të Këshillit Gjyqësor nuk do të mund ta realizonte as iluzionisti Dejvid Koperfild”, thotë ai.
Milloshoski thekson gjashtë parregullsi, të cilat i shpjegon në detaje. Sipas tij, e para ka të bëjë me faktin që as procesverbalet dhe as listat e renditjes për kandidatët për Gjykatën e Apelit në Shkup nuk janë të nënshkruara dhe të verifikuara në përbërje të plotë nga Komisioni për renditjen e kandidatëve për zgjedhje në gjykatë më të lartë, i cili duhet të ketë tre anëtarë – ndërsa janë nënshkruar vetëm nga dy.
Milloshoski: Me këtë përbërje të Këshillit Gjyqësor as magjistarët nuk mund të realizojnë reforma appeared first on Telegrafi.