
Qeveria nuk po e shqyrton hapjen e Kushtetutës, kushtet politike për këtë nuk janë përmbushur, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Duke iu përgjigjur pyetjeve e gazetarëve në tryezën e rrumbullakët “A do të paraqesim një ankesë kushtetuese?”, Mickoski tha se Gjykata Kushtetuese ndoshta tashmë po shqyrton se si do të duket arkitektura e ligjit të posaçëm dhe shprehu pritjen e tij se së shpejti mund të ketë një dokument të gatshëm dhe, siç përmendi ai, kur të jenë kushtet politike, ai do të miratohet.
Siç tha ai, në këtë kontekst, prania e tij në tryezën e sotme është një mesazh i fortë.
“Ne supozojmë se Gjykata Kushtetuese tashmë po shqyrton se si do të duket arkitektura e ligjit të posaçëm. Shpresoj që një projektligj i tillë të mund të paraqitet së shpejti sot, të ketë një debat publik, të dëgjohet mendimi i publikut dhe komunitetit të ekspertëve, të ketë një dokument të gatshëm dhe kur të jenë kushtet politike për një gjë të tillë, të miratohet.
Për momentin, Qeveria nuk po mendon për hapjen e Kushtetutës dhe kushtet politike për këtë nuk janë përmbushur”, theksoi Mickoski.
Mickoski në fjalimin e tij tha se Kushtetuesja pavarësisht imperativit për sundim të së drejtës, gjatë marrjes së vendimeve duhet të ketë parasysh peshën që ka në opinion në proceset shoqërore.
“Sundimi i së drejtës është imperativ. Vendimet janë përfundimtare, por edhe vetë Gjykata Kushtetuese duhet të ketë një gjë të qartë, se ka edhe peshë shoqërore, respektivisht ka ndikim në disa procese shoqërore. Unë nuk jam jurist, jam inxhinier. Shpesh herë logjika në juridik dhe në këtë shkencën time janë të ngjashme. Por të gjithë ne duhet të jemi të vetëdijshëm që kur merremi me veprimtari publike, se jo vetëm që jemi të eksponuar para gjykimit të publikut, por kemi edhe përgjegjësi personale dhe peshë në shoqëri, në një shtet si i yni. Dhe mendoj se edhe kjo duhet të merret parasysh kur merren vendimet”, shtoi Mickoski./Telegrafi/




